Ujë i rrezikshëm në 27 zona! (Real News)
Shkencëtarët kanë dhënë alarmin për ujin e rrezikshëm në qytetet dhe fshatrat e Greqisë. Arsyeja është nivelet shumë të larta deri në plotësisht të papërshtatshme të nitratit që përmbahen në ujin e pijshëm.
Nga Aleksandros Kontis
Një kërcënim i heshtur, por jashtëzakonisht i madh për shëndetin publik në vendin tonë, fshihet pas sasive të larta të nitrateve në ujin e pijshëm, duke e bërë atë të rrezikshëm. Ndotja nga nitratet vjen kryesisht nga përdorimi i tepruar i plehrave kimike dhe ndërkombëtarisht konsiderohet si një nga problemet më serioze të ndotjes së ujërave, me rrezik real për organizmin e njeriut, veçanërisht për gratë shtatzëna, foshnjat dhe fëmijët e vegjël.Në raportin më të fundit të Komisionit Europian për nitratet, i publikuar më 4 maj 2018, theksohet se:
“Teprica e nitrateve në ujin e pijshëm mund të ketë pasoja në shëndet, konkretisht shkaktimin e methemoglobinemisë, e cila pengon transportin normal të oksigjenit nga gjaku në inde, duke shkaktuar cianozë dhe, në përqendrime më të larta, asfiksi, që mund të rezultojë fatale për foshnjat.”
Fatkeqësisht, vihet re neglizhencë nga qeveritë greke në trajtimin e këtij problemi. Si pasojë, ujë i rrezikshëm rrjedh nga rubinetat në mijëra banesa, duke tejkaluar kufijtë e sigurt të konsumit.
Duhet theksuar se zyrtarisht nga Bashkimi Europian është vendosur kufiri prej 50 mg/L, megjithatë në legjislacionin e 7 vendeve anëtare të BE-së (Francë, Gjermani, Austri, Itali, Spanjë, Poloni, Kroaci) ekziston rekomandimi që konsumatorët të shmangin edhe ujin me nitrate mbi 10 mg/L. I njëjti nivel prej 10 mikrogramë për litër është kufiri zyrtar i sigurisë i vendosur në SHBA.
Me rastin e Ditës Botërore të Ujit, më 22 mars, të dhënat që dalin për ujin e pijshëm në disa zona të Greqisë janë zhgënjyese. Sipas të dhënave nga Shoqata e Ndërmarrjeve Bashkiake të Ujësjellës-Kanalizimeve (ΕΔΕΥΑ) dhe ndërmarrjet lokale të ujësjellësit, të disponueshme online, në të paktën tre zona të vendit vërehet tejkalim i kufirit prej 50 mg/L.
Në një matje të kryer në zonën Midea të Nafplios më 18/2/2021, niveli i nitrateve arriti në 137 mg/L, pothuajse trefishi i kufirit të lejuar. Në Ermioni, në një matje të vitit 2019, u gjetën 65 mg/L, ndërsa problem serioz u evidentua edhe në Argos, ku në qershor 2020, në zonën Koutsopodi, nitratet u matën në 88 mg/L.
Tejkalimi i kufirit prej 10 mg/L është konstatuar edhe në 24 zona të tjera, të shpërndara në të gjithë territorin e Greqisë. Në matjet e viteve 2019–2020 janë regjistruar këto nivele nitrate:
– Pylaja-Hortiatis (Asvestochori) 29,1 mg/L
– Thermi 19,94 mg/L f Patra (qendra e qytetit) 14 mg/L
– Patra (qendra e qytetit) 14 mg/L
– Komotini 21,1 mg/L
– Thiva 21,1 mg/L
– Thasos 23,9 mg/L
– Edessa 12,9 mg/L
– Drama 14,4 mg/L
– Almopia (Varrezat) 18,06 mg/L
– Aleksandrupoli 14 mg/L
– Aigio 40,8 mg/L
– Kavala (Filippo) 46 mg/L
– Kilkis (Levendokhori) 35,1 mg/L
– Serres 24,1 mg/L (28/1/2020)
– Paros (Kakapetra) 19 mg/L
– Larisa (Giannouli) 14 mg/L
– Halkida (Agios Nikolaos) 36,5 mg/L
– Agios Nikolaos Kretës (Vryses) 15,9 mg/L
– Heraklion (Kato Fortetsa) 28,3 mg/L
– Lamia (Afanós) 14,6 mg/L
– Platanias (Vukolies) 19,1 mg/L
– Agrinio (Paravola) 12 mg/L
– Trikala 12,6 mg/L
– Giannitsa 11,4 mg/L
«Tek njerëzit, nitratet absorbohen menjëherë nga organizmi», tha në një përgjigje me shkrim një zyrtar i EFSA.
“Kancerogjene”
Real News kontaktoi zyrtarë të Autoritetit Europian për Sigurinë Ushqimore (EFSA), i cili i konsideron nitratet si një nga rreziqet më të mëdha për shëndetin përmes zinxhirit ushqimor.
“Nitratet hyjnë në zinxhirin ushqimor si ndotës të ujit për shkak të praktikave bujqësore të tepruara. Tek njerëzit, nitratet absorbohen menjëherë nga organizmi. Ato mund të oksidojnë hemoglobinën normale, duke ulur aftësinë e qelizave të kuqe të gjakut për të transportuar oksigjen në të gjithë trupin. Gjithashtu, mund të kontribuojnë në formimin e të ashtuquajturave nitrozamina, disa prej të cilave janë kancerogjene”, thuhet në përgjigjen me shkrim të një zyrtari të EFSA-s.
Rreziqet nga nitratet në ujë i theksojnë edhe shkencëtarë të njohur grekë në fushën e sigurisë ushqimore.
“Në ujin e pijshëm, normalisht, nuk duhet të ketë fare nitrate, pasi ato janë ndotës. Fatkeqësisht, ato kanë veprim të dëmshëm dhe tek foshnjat mund të shkaktojnë reaksione, duke provokuar një formë anemie biokimike”, deklaron për “R” presidenti i EFET dhe profesor në Universitetin Bujqësor të Athinës, Antonis Zampelas.
“Duhet treguar kujdes i madh sidomos për foshnjat, të cilat ushqehen me qumësht formule të përgatitur me ujë”, thekson Dimitris Loutradis, profesor i Obstetrikës dhe Gjinekologjisë në Universitetin Kombëtar të Athinës. “Nëse nitratet janë në sasi të mëdha, mund të ndikojnë në tiroide ose të shkaktojnë probleme të tjera në mushkëri”, shton ai.