Pse nuk duhet të pimë më kurrë ujë nga shishet plastike
Nga shishet plastike mund të kalojnë në ujë substanca kimike potencialisht të dëmshme, sipas të dhënave ekzistuese.
Ftalatet, të njohura edhe si plastifikues, janë një kategori substancash kimike artificiale që përdoren për ta bërë shishen e ujit dhe plastikat e tjera më rezistente dhe më fleksibile. Janë dhënë paralajmërime kundër ekspozimit ndaj ftalateve, pasi këto substanca ndikojnë në sistemin endokrin të njeriut, i cili është përgjegjës për prodhimin dhe çlirimin e hormoneve.
Disa studime kanë treguar se shishet plastike të ujit, në vetvete, nuk përmbajnë nivele mjaftueshëm të larta ndotjeje për të dëmtuar drejtpërdrejt ata që konsumojnë ujë të ambalazhuar. Megjithatë, shumë ekspertë i kanë thënë HuffPost se, duke qenë se shumica e njerëzve ekspozohen çdo ditë ndaj kimikateve që shkaktojnë çrregullime endokrine – nga produktet e pastrimit të shtëpisë deri te disa parfume – është e mençur të kufizohet ekspozimi shtesë ndaj këtyre substancave sa herë që është e mundur.
Këto kimikate janë lidhur me një sërë çrregullimesh riprodhuese, imunitare dhe neurologjike, si diabeti gestacional, ADHD (Çrregullimi i Deficitit të Vëmendjes dhe Hiperaktivitetit), problemet e fertilitetit, sëmundjet e mëlçisë te fëmijët, astma dhe rritja e rrezikut për kancer të gjirit.
Agjencia Amerikane për Mbrojtjen e Mjedisit (EPA) është aq e shqetësuar për këto pasoja të mundshme, sa që muajin e kaluar klasifikoi një tjetër grup të zakonshëm kimikatesh që shkaktojnë çrregullime endokrine, të njohura si PFAS, si “substanca të rrezikshme”. Këto quhen ndryshe “kimikate të përhershme”, sepse mund të qëndrojnë në mjedis për dekada të tëra.
Edhe pse ftalatet dhe kimikatet e tjera që shkaktojnë çrregullime endokrine zakonisht nuk gjenden në ujin në burimin e tij natyror, plastika që rrethon ujin e ambalazhuar mund ta ndotë lëngun me kalimin e kohës. Shkalla e ndotjes ndryshon, por ekspertët thonë se ndotja përkeqësohet kryesisht nga dy faktorë: koha gjatë së cilës plastika është në kontakt të drejtpërdrejtë me pijen (ose ushqimin) dhe fakti nëse plastika është ngrohur gjatë kontaktit me ujin ose ushqimin.
Uji i ambalazhuar është shqetësues për të dyja këto arsye, pasi shpesh ruhet për periudha të gjata dhe transportohet në kushte ku temperaturat mund të jenë të larta.
“Të qëndrojë në këto kushte për muaj apo edhe vite para se të arrijë te konsumatori, është një periudhë shumë e gjatë që një sasi kaq e vogël uji të rrethohet nga plastikë e ngrohtë”, thotë për HuffPost dr. Nathaniel DeNicola, mjek obstetër-gjinekolog dhe specialist i shëndetit mjedisor për Kolegjin Amerikan të Obstetërve dhe Gjinekologëve.
Emily Barrett, profesoreshë e asociuar e biostatistikës dhe epidemiologjisë në Rutgers School of Public Health, shton se arsyeja pse ftalatet shkëputen nga plastika është sepse ato nuk janë pjesë përbërëse e strukturës së vetë plastikës, por janë të lidhura “lirshëm” me të.
“Kur ekspozohen ndaj nxehtësisë, lidhjet kimike mund të ‘thyhen’ relativisht lehtë, duke lejuar që ftalatet të kalojnë në ushqimin ose pijet që ndodhen në ambalazhe plastike”, shpjegon ajo. Ajo thekson gjithashtu se ndotja mund të ndodhë edhe gjatë fazave të prodhimit, kur uji i ambalazhuar bie në kontakt me PVC-në – një nga plastikat më të përdorura në botë – dhe me materiale të tjera plastike.
Vlen gjithashtu të merret parasysh sasia e madhe e plastikës që rrethon një sasi kaq të vogël uji.“Shishet e ujit mund të jenë veçanërisht të prirura ndaj ndotjes për shkak të kontaktit të drejtpërdrejtë dhe afatgjatë midis ujit dhe materialeve plastike të ambalazhimit, si dhe për shkak të sipërfaqes së madhe të kontaktit”, thotë dr. Maida Galvez, profesoreshë e mjekësisë mjedisore dhe shëndetit publik në Icahn School of Medicine, në spitalin Mount Sinai në Nju Jork.
Metale, baktere dhe mikroplastikë në ujin e ambalazhuar
Përveç ekspozimit të mundshëm ndaj kimikateve, shumë studime kanë zbuluar edhe substanca të tjera në ujin e ambalazhuar.
“Studime të ndryshme kanë gjetur gjurmë ilaçesh, mikroplastikë, baktere dhe metale të rënda”, shpjegon Emily Barrett. Një studim i botuar në Journal of Environmental Health zbuloi metale të rënda si argjendi, bariumi, kobalti, kromi, bakri, nikeli, plumbi dhe zinku në shumë marka të njohura të ujit të ambalazhuar.
Gjithashtu, një studim i vitit 2019 i publikuar nga National Library of Medicine gjeti toksina, baktere, kërpudha dhe “ndotës mikrobiologjikë” në ujin e ambalazhuar, të cilët lidhen me sëmundje të ndryshme te njerëzit, më së shpeshti gastroenterit dhe grip stomaku.
Studimi përfundoi se uji i ambalazhuar shpesh konsiderohet i sigurt dhe steril, “por rreziku për shëndetin nuk duhet nënvlerësuar”, duke marrë parasysh aftësinë e mikroorganizmave për të mbijetuar dhe madje për t’u shumuar në kushtet që ofron uji në shishe plastike.
Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) kanë paralajmëruar se “uji i ambalazhuar i ndotur mund të dëmtojë shëndetin, duke shkaktuar sëmundje gastrointestinale, probleme riprodhuese dhe çrregullime neurologjike”. Ato theksojnë se personat me sistem imunitar të dobësuar janë më të rrezikuar dhe japin udhëzime për mbrojtjen nga paraziti Cryptosporidium (Crypto), i cili mund të jetë i rrezikshëm për këta individë.
Testime nga Consumer Reports në vitin 2020 zbuluan nivele shqetësuese arseniku në disa ujëra të ambalazhuara. Një studim i vogël i vitit 2018 nga Frontiers in Chemistry gjeti mikroplastikë në 93% të 259 mostrave të ujit të ambalazhuar të analizuara, disa prej të cilave ishin të dukshme edhe pa mikroskop.
Studiuesja Sherri Mason theksoi se mikroplastika gjendet në sasi më të mëdha në ujin e ambalazhuar sesa në ujin e rubinetit, pjesërisht edhe për shkak të kapakëve plastikë të shisheve.
Përfundime dhe çfarë mund të bëjmë
– Uji i ambalazhuar mund të mos përmbajë disa minerale natyrore që gjenden më shpesh në ujin e rubinetit.– Plastika është padyshim e dëmshme për mjedisin.
Ekspertët theksojnë se ndikimi i mundshëm i ujit të ambalazhuar ndryshon nga personi në person dhe është i vështirë për t’u matur. Qëllimi kryesor është informimi i konsumatorëve.
“Këshilla ime e parë është: pini ujë”, thotë Galvez. “Uji i sigurt dhe i shëndetshëm është thelbësor për jetën.”
Nëse duam të reduktojmë përdorimin e ujit të ambalazhuar në plastikë, mund të:
– Përdorim filtra uji për ujin e rubinetit– Zgjedhim shishe të ripërdorshme prej qelqi ose çeliku inoks