Uji: Është në rrezik në Evropë, thotë Agjencia Evropiane e Mjedisit
“Shëndeti i ujërave evropiane nuk është i mirë”, deklaron Leena Ylä-Mononen – Një nga pasuritë më të çmuara, uji, është në rrezik
Evropa duhet të menaxhojë më mirë burimet e saj ujore për t’u garantuar qytetarëve ujë me cilësi të mirë, paralajmëron në një raport Agjencia Evropiane e Mjedisit, duke theksuar se vetëm 37% e ujërave sipërfaqësore në kontinentin evropian ndodhen në gjendje të mirë ose shumë të mirë ekologjike.
Raporti i Agjencisë Evropiane të Mjedisit është më shumë se shqetësues.
“Shëndeti i ujërave evropiane nuk është i mirë. Ujërat tona përballen me një sërë problemesh të paprecedenta që kërcënojnë sigurinë ujore të Evropës”, deklaron në një njoftim drejtoresha e agjencisë, Leena Ylä-Mononen, siç raporton APE-MPE.
Sa i përket shëndetit kimik të ujërave sipërfaqësore, ai është i mirë vetëm në 29% të rasteve, krahasuar me 77% për ujërat nëntokësore, nga të cilat vjen pjesa më e madhe e ujit të pijshëm që konsumojnë evropianët.
Shëndet i mirë kimik do të thotë mungesë e ndotjes së tepruar nga substanca organike dhe nga kimikate të dëmshme si substancat të rrezikshme përfshirë (PFAS) dhe mikroplastikat.
Kërcënimet kryesore
Ujërat sipërfaqësore kërcënohen nga ndotja atmosferike (djegia e qymyrit, emetimet e automjeteve, etj.) dhe nga bujqësia, e cila prodhon sasi të mëdha mbetjesh që ndotin tokën.
“Sipas raportit të Agjencisë Evropiane të Mjedisit, bujqësia evropiane duhet të rrisë përdorimin e praktikave më të qëndrueshme natyrore dhe agroekologjike, të shoqëruara me stimuj dhe me ndryshime në zakonet tona ushqimore.”
Agjencia evropiane ka analizuar 120.000 trupa ujërash sipërfaqësore dhe 3,8 milionë kilometra katrorë ujëra nëntokësore në 19 vende të Bashkimit Evropian dhe në Norvegji, dhe kërkon uljen me 50% të përdorimit të herbicideve deri në vitin 2030.
“Duhet të dyfishojmë përpjekjet tona për të rivendosur shëndetin e rrjedhave tona të çmuara ujore, liqeneve, ujërave bregdetare dhe masave të tjera ujore, në mënyrë që ky burim jetik të ruhet dhe të jetë i sigurt për brezat e ardhshëm”, thekson Leena Ylä-Mononen.
Pasojat e ndryshimeve klimatike (thatësira dhe përmbytje) si dhe shfrytëzimi i tepërt i burimeve ujore ushtrojnë gjithashtu presion mbi këto burime.
Sipas raportit, kufizimi i konsumit të ujit dhe restaurimi i ekosistemeve duhet të jenë përparësi për qeveritë, në një kohë kur burimet ujore janë nën presion për shkak të ndryshimeve klimatike, reshjeve të dendura, shkrirjes së akullnajave dhe thatësirës.