SOS për ujin në shishet plastike (Lajme)
Shkencëtarët japin alarmin për ujin në shishe plastike
Shkencëtarët ngrejnë alarmin për ujin në shishe plastike. Jo pa arsye, pasi përbërësit e ambalazheve plastike mund të shkaktojnë çrregullime hormonale.
Rreziqe serioze për shëndetin duket se fshehin shishet plastike në të cilat ambalazhohet uji, pasi shkencëtarë gjermanë kanë konstatuar se ato mund të shkaktojnë çrregullime hormonale te meshkujt.
Uji i ambalazhuar është akuzuar tashmë për dëmet e mëdha që shkakton në mjedis, pasi për prodhimin e shisheve plastike konsumohen sasi të mëdha nafte dhe uji. Megjithatë, një studim i ri tregon se këto ambalazhe mund të jenë të dëmshme edhe për shëndetin, pasi uji i ambalazhuar në plastikë përmban dy herë më shumë hormone krahasuar me ujin e rubinetit ose me ujin e ambalazhuar në enë qelqi.
Me fjalë të tjera, duket se plastika çliron në ujë substanca që shkaktojnë çrregullime hormonale. Pasojat e konsumimit në doza shumë të vogla nuk janë ende plotësisht të njohura, megjithatë ekzistojnë dyshime serioze se mund të shkaktohen çrregullime në funksionin seksual dhe riprodhues te meshkujt.